Pse dështoi vera e vitit 2025?

Ishte shumë interesante se si të gjithë bashkë vendosëm t’i themi mirupafshim verës që në datë 31 gusht. Edhe pse të gjithë thonë që nuk duan që vera të mbarojë, këtë vit e përcollëm 2 javë para se vetë natyra ta përcjellë (hahah).

Pas çdo sezoni a stine të gjithë bëjmë bilancet e muajve që kemi lënë pas, unë vendosa të bëj një bilanc personal për këngët e verës, sa hite kemi pasur këtë verë, sa evente muzikore kanë zhurmuar në qytetet tona dhe cilët artistë na kanë zënë feedin, valët e radios dhe ekranet e televizioneve.

Me një rishikim memorieje m’u kujtuan vetëm pak këngë që numërohen me gishtat e njërës dorë dhe asnjë event kulturor përveç Sunny Hill në Prishtinë.

Mbaj mend, në verën e vitit 2016 kishte aq shumë hite muzikore sa ne i dëgjojmë Akoma. E deri aty nga viti 2021-2022. Dhe sa vijnë dhe sfumohen duke ardhur në verën e këtij viti që na duhet të marrim borxh këngë nga dimri për të bërë listën e këngëve të verës.

Ajo për të cilën biem të gjithë dakord është që pesha e hiteve të verës i ra e gjithë Yll Limanit, i cili me “Kitara” dhe “Larg” dominoi të gjithë jetën publike në trevat shqipfolëse. Të dyja këngët u bënë virale në Tiktok dhe në Instagram – nuk bësoj se është nevoja të tregoj fakte se në një pikë kishim frikë t’i hapnim ato telefona – por përveç viralitetit, ishte prezent edhe me 2 koncerte live, në DokuFest dhe në Shkup, për të mos numëruar clubet.

Një tjetër emër që iu desh të mbante peshën e verës ishte Armend Rexhepagiqi me rikthimin e tij të shumëpritur me albumin “Dashni e Vjetër”, i cili u promovua me një koncert – për të cilin na qan zemra ne në Tiranë – masiv në Prishtinë. E që më pas vazhdoi në disa qytete si Ulqin apo Rahovec, e me shpresë do të vazhdojë derisa të mbërrijë në Tiranë.

Jo vetëm shpërndarje në rrjet, por albumi i Armendit preku dhe atë demografi që zakonisht lihet mënjanë apo ndihet e injoruar nga artistët komerçiale të skenës prandaj mban një vend të veçantë në verën e këtij viti.

Edhe pse në sezonin e saj off, Dafinës sërish iu desh të kontribuonte në listën e hiteve të kësaj vere, fillimisht me “Energy”, bashkëpunimi viral me Luçiano, e më pas me “Inshallah” dhe “Faya”. Pavarësisht se ishte në pritje në ëmëbl, kjo nuk e stopoi Dafinën që me pak përpjekje të jetë në sytë dhe veshët tanë. Ky besoj është një tregues për Dafinën, që nuk e ka luksin të bëjë sezone off në muzikë, përkundrazi, i duhet tregut.

Një nga emrat potencial, që gjithmonë prodhon dhe qëndron në vëmendje të publikut dhe rrjeteve sociale, Dhurata Dora, le të themi që fati nuk ishte në favor të saj këtë sezon. “Vonë” dhe “Qaje”, dy produkte muzikore potenciale nuk patën fatin e produkteve të tjera të Dhuratës që menjëherë pas lançimit kthehen në hite massive dhe luhen kudo, brenda dhe jashtë vendit. Ok, “Qaje” është në Top 10 të Spotify-t tim, por fatkeqësisht bota nuk rrotullohet rreth meje.

Një nga këngët më virale të momentit në Tiktok është “UNeDU” e Ronela Hajatit. Mjafton një scroll i thjeshtë në Tiktok dhe këngën do ta dëgjosh në qindra postime. Po ashtu, Ronela ishte prezente me një seri koncertesh sa ishte e pamundur ta injoroje.  Për ironi të fatit të Ronelës, 3 produktet e tjera “Harram” & “Mos Nënshkruj” dhe “Hana” nuk e patën fatin e mirë të “UNeDU”.

Ajo që për mua ishte surpriza e verës, ndoshta dhe për disa nga ju, por jo për një numër të madh fansash, dyshja Finem & Solo.

Ndonëse të bërë masiv në rrjetet sociale dhe për shkak të lajmeve të qarkulluara vite më parë, dyshja ka qenë më prezente me koncerte këtë verë më shumë se kurrë. Dhe jo vetëm me postera, por me ambjente të mbushura plot, duke konkurruar denjësisht kolegë të tyret që kanë vite në skenë. “Escobar” e Finemit e publikuar 2 muaj më parë numëron 11 milion klikime – e di që klikimet nuk janë fare etalon matës, sidomos në Shqipëri, por ajo shifër këtë verë, siç thonë amerikanët “has lived up its hype”.

Habia ime më e madhe këtë sezon ishte fakti që Noizy kishte publikuar një album të tërë në qershor të këtij viti. Nuk është habi fakti që ai publikon një album, habi është fakti që ka bërë 0 zhurmë. Çfarë është më e habitshme është fakti që një nga këngët, Follow You ka plot 90 milion streams në Spotify. Ka dy mundësi këtu; ose unë dhe disa prej nesh kemi jetuar poshtë gurit, ose autoplay ka mbërritur në brigjet tona. Besoj e para…

Gjithsesi, kjo verë është zhgënjyese për një emër që brenda një vere prodhonte minimum 2 hite që i rezistonin sezonit e shumë prej tyre i kapte sezoni tjetër. Edhe pse u organizua Alpha IV në Sarandë, në kryeqytetin e jugut për 3 muajt e verës, sërish zhurma e këtij organizmi nuk e kaloi as tunelin e Llogarasë.

Po ashtu edhe dyshja e kësaj vere Ledri-Xhensila, kryefjalë e lajmeve rozë për lidhjen e tyre asnjëherë të konfirmuar. Dy projekte të publikuara, më shumë u përfol videoja e famshme nga Sunny Hill sesa të dyja këngët. Por edhe kjo zhurmë zgjati po aq sa zgjat Rruga e Kombit.

Mund të përmend një sërë emrash të tjerë që kanë publikuar projekte të ndryshme muzikore, por asnjë prej tyre nuk ka arritur të zgjasë më shumë se java në të cilën janë publikuar, dhe as të definojnë një sezon të tërë.

Për fatin e keq të të gjithëve, kënga e verës 2025 është “Verën Tjetër”, këngë e dj Arbër Musa, këngë e realizuar e gjitha me AI.

Fakti që në një verë me shumë projekte muzikore, ajo që ka ngjitur dhe ka definuar verën ka qenë një këngë AI tregon shumë aspekte për tregun muzikor shqiptar.

E para, artistët shqiptarë preferojnë të mos eksperimentojnë dhe të mos dalin nga flluska në të cilën kanë futur veten që nga viti 2020. Melodi të ngjashme, orkestrim i thjeshtë, pa larmishmëri instrumentësh, tekste po aq të thjeshta që harrohen sa kalon te kënga tjetër dhe projekte muzikore që publikohen për hir të algoritmit dhe jo për audiencën. Mund të jem gabim, por horizonti i shumë prej tyre nuk shkon përtej faqeve të fansave të tyre dhe mjaftohen me to, duke harruar që ka një masë shumë herë më të madhe që konsumon muzikë çdo ditë të vitit.

E dyta, refuzojnë të reflektojnë kohën dhe konotacionin shoqëror në të cilën audienca e tyre dhe vetë ata jetojnë. Thelbi i këngëve mbetet vetëm të jenë “club bangerz”, por bota na mëson që edhe “club bangerz” mund të të bëjnë të mendosh dhe të reflektosh. Nëse do të ulemi tani dhe t’i kategorizojmë këngët që kanë dalë këtë verë (meqë po merremi me verën dhe nuk po zhvendosemi në sezone të tjera), unë nuk e di në cilin zhaner apo subzhaner t’i kategorizoj. Pop, House, RnB, Electronic apo të gjitha nga pak e në fund shumë-asgjë?

Fakti që verën e këtij viti e “fitoi” një këngë AI duhet t’i bëjë artistët tanë të kuptojnë që ata duhet të jenë më afër asaj ç’ka i duhet publikut, jo rreth asaj ç’ka ai do. Çfarë ai do,  e lexon edhe e jep shumë mirë AI. Artistët duhet ta furnizojnë audiencën me atë ç’ka ata mendojnë se na duhet në jetën publike dhe në jetën artistike.

Për fat, ne kemi producentë, vokalistë, tekstshkrues dhe instrumentistë shumë të talentuar, të cilët me pak më shumë punë dhe mund, mund të na sjellin këngë dhe albume, të cilat mund të shoqërojnë gjenerata dhe të mos flasim më për sezone.

 

 

P.s Pavarësisht se në të gjithë tekstin kam folur me përgjithësime, ka emra që bëjnë përjashtim. Përgjithësimi e bën më të lehtë për të treguar thelbin dhe për të mos u keqkuptuar.