Mësimet e një jave Vere në Kaninë!
Kam disa javë që e bluaj këtë shkrim në kokë, jo për faktin nëse duhet ta bëj apo jo, por se a do arrija ta strukturoja ashtu siç duhet apo jo se emrat që do të përmend më poshtë do apo nuk do të japin një peshë që nuk është e lehtë t’i rreshtosh në një fjali.
Dhe tekstin do ta përfundoja sot, një ditë pasi “Yje Mbi Kaninë” u transmetua në televizionin Klan.
Për të gjithë ata që e kanë ndjekur në transmetim apo ata që kanë parë highlights në Instagram apo ata të tjerë që e kanë ndjekur nga postimet e të ftuarve në 31 gusht, magjia e atij spektakli i bën fjalët të duken të tepërta.
2 artistë ndërkombëtarë, në një linjë me emra që ne i kemi etalon matës të famës së shqiptarëve në botë si Dua Lipa përshembull, Ermonela Jaho dhe Saimir Pirgu, bashkë me një artist të pakohë si Timo Flloko krijuan një art unik në skenën e ndërtuar rishtazi në Kaninë. Nuk është nevoja të jesh simpatizant vetëm i poezisë, apo i muzikës lirike për ta shijuar. Mjafton të mbyllësh sytë dhe mbaroi. Prandaj dhe nuk mendova dy herë për të pranuar ftesën e Verës apo miss Verës, siç e quajnë ata që punojnë apo e njohin prej vitesh, për të qenë pjesë e ekipit që do të zbarkonte në Vlorë javën e fundit në kalanë historike të Kaninës e do të zbriste prej saj vetëm kur të fikeshin dritat e skenës, të dielën e 31 gushtit.
Në 27 gusht ishte mbledhja e parë në Kaninë, në orën 8 të mëngjesit dhe mund të vija bast me këdo që askush nuk do të ishte në orar dhe do të niste më vonë. Por sigurisht që do ta kisha humbur bastin sepse në orën 8 të mëngjesit miss Vera ishte duke dhënë direktivat për të gjithë stafet; atë të xhirimit, të teknikës, të audios, të koordinimit, të ndriçimit dhe atë të kontentit.
Kush e ka ngjitur terrenin e Kalasë së Kaninës e di sa terren i vështirë është, rrugë e pashtruar, e ngushtë, e thepisur me shanset që të ikësh mbrapsht më shpejt se ç’ecën para. Mirëpo, në atë terren, në mes të asgjëje ishte ndërtuar skena gjashtëkëndore, në formën e nëj diamanti dhe që në muret e saj sipër, ishte ndërtuar hëna dhe valvitej flamuri kombëtar. Vetja bënte një pyetje: “Si dreqin është ndërtuar kjo gjë, këtu, në mes të askundit?!”. Mos mendoni se mora përgjigje…
Provat e para kaluan në darkën e 28 gushtit, pa Orkestrën Simfonike të RTSH, vetëm me Ermonelën, Saimirin, Timon dhe Aurelën për të bërë kalimin e skaletës në koordinim me prezantimin, ndriçimin, hyrje-daljet dhe regjinë. Orkestrën do ta sillte e nesërmja, bashkë me të edhe një mot aspak të qëndrueshëm, njësoj si gjendja e shqiptarëve në një mëngjes të hëne trafiku. Erë që fluturonte të gjithë pluhurin e Kaninës, pluhur që mund të ishte i njejti me atë që mund të kenë hasur turqit. Erë që e bëntë të pamundur kalimin e provave, prandaj të gjithë ikën.
E nesërmja ishte dita e stuhisë që kaploi të gjithë vendin dhe që nuk kurseu as Kaninën. Stuhi që ndaloi në orën 16:00 dhe në 16:30 të gjithë ishin ngjitur në kala. Po sërish fati nuk ishte në anën tonë sepse reshjet e shiut filluan. Mirëpo, edhe pse retë shkrepëtinin dhe shiu binte, ti sërish shihje një njeri që ecte nëpër skenë dhe që dukej sikur fliste me vete dhe dikush tjetër që e instruktonte nga autobuzi i regjisë. Ishte Timo që po kalonte tekstin e tij dhe Vera në regji. Në një kohë që të gjithë iknin, dyshja vazhdonte dhe bëntë kalim prove, kur në fakt, eksperienca prej dekadash atyre ua jep luksin edhe të flenë kur të tjerët bëjnë prova.
Ishte ora 1 e 30 pas mesnate. Teksa artistët e tjerë ishin duke u përgatitur për të fjetur, në skenë vazhdonte të bëntë kalimin e fundit professor Timo dhe miss Vera vazhdonte të fliste dhe të merrej me detajet, hyrjet, daljet, këndin, intron nga regjia. Prova që kishin nisur paradite, ishin ndërprerë në drekë dhe vazhdonin që nga ora 7 e pasditës. Unë, sigurisht po flisja me vete; kam përpara një çift, moshën e të cilit brezi im është më fat nëse e arrin, janë më të mirët në profesionin e tyre dhe këtë mund t’ua jap me firma të mbledhura, në vend që të jenë duke pushuar, janë duke kapur mesnatën duke bërë prova. “What’s your excuse?” – do të thonin amerikanët. Mesa duket, nuk ka rëndësi sa i madh je, sa i aftë je, sa vite apo sa e do punën tënde – gjithmonë të duhet të punosh. Ndoshta edhe më shumë se të tjerët që janë poshtë teje. Një provë më shumë nuk është kurrë “shumë”.
Kapriçot e motit vazhduan dhe të nesërmen, me një vapë sikur nuk ishtë përmbytur gati e gjithë Ultësira një ditë më parë. Gjë që e bënte të pamundur provën gjenerale me Orkestrën Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar. Kështu në orën 17:30 të gjithë artistët dhe instrumentistët ishin bërë gati dhe ishin vendosur në vendet e tyre për të bërë provën e parë dhe të fundit nga fillimi dëri në fund. Çmenduri, por e vërtetë. Dhe mbi ta qëndronte një njeri, me shtat të vogël, por prej 1 jave kishte mbajtur në këmbë një batalion të tërë me teknikë, muzikantë, specialistë, puntorë skene, asistentë, garderobë e deri te detajet më të vogla sikur në orën 8 do të vinin pushtuesit dhe jo të ftuarit. Në fakt, sytë e këtyre të fundit janë më të rëndë se të parëve..
Dhe në orën 8:45 nis spektakli. Teksa niste, në kokë mendoja herë pas herë; “obobo nuk do bëhet kjo”, “nuk do të bëhet ajo”… një lloj ankthi. Dhe kur fishekzjarret mbyllën spektakli isha…
Përgjatë viteve kam parë spektakle nga më të ndryshmet; nga ato që të zhgënjejnë dhe nga ata që thua: “Aq mirë ishte sa do kënë bërë 1 vit prova”. Dhe ky i fundit binte në kategorinë e fundit, por edhe nuk binte. Ishte aq i mirë, por e dija që nuk ishin bërë 1 vit prova – në fakt, moti nuk donte që ky spektakël nuk kishte edhe 1 ditë të vetme provë nga fillimi në fund.
Por ky spektakël kishte pasur para datës 31 përuljen e Ermonela Jahos, një emër që ngre në këmbë një glob të tërë në teatrot që kanë bërë historinë e artit botëror, ama trajton dhe e merr punën e saj me të njejtën përulësi dhe pranim sa ndonjëherë thua mos vallë është shumë e mirë për të qenë e vërtetë?
Kishte profesonalizmin e Saimir Pirgut, i cili edhe në kushtet më të vështira atmosferike kërkonte nga vetja përpjekjen më të madhe sikur në çdo prove të ishte para një audience million shikuesish.
Kishte dashurinë, punën dhe pasionin e një çifti, që ndoshta vitet e fundit është larg vëmendjes mediatike, por kanë arritur të dashurojnë artin dhe të artësojnë dashurinë. Çifti që bënte prova deri në 1 të natës, që kur stuhia godiste xhamin e restorantit bëntë ndryshimet e teksteve, kur në kulmin e stresit dhe lidhjes shkëmbenin një puthje dhe si me magji e nisnin vrullin sikur të ishte ora 9 e mëngjesit.
Brezi im dhe brezi i ri i profesionistëve dhe joprofesionistëve në media dhe në skenë ka prioritizuar klikueshmërinë, shikueshmërinë dhe shifrat e larta, por në fakt ajo që unë do të sugjeroja për të gjithë ata që aspirojnë të njejtin profesion dhe janë në hapat e parë është puna të paktën një sezon me një figurë të tillë që i ka rezistuar kohës, regjimeve, trendeve dhe idhujve. Po aq e rëndësishme sa një shkollë e tërë. Ashtu siç mëson detaje të vockla farë, në dukje të parëndësishme, por në skena të mëdha bëjnë diferencën, ashtu mëson mësime që të vlejnë gjithë jetën.
…prandaj këto mësime të një jave Vere në Kaninë vendosa të mos i mbaj më për vete!
