E vërteta e rikthimit të Flor Mumajesit!

Deri para pak ditësh isha në dilemën se cila është pyetja që më është bërë më shpesh këtë vit; “A do të jesh në juri te Kënga Magjike këtë vit?” apo “Kur do të bëjë koncert Flor Mumajesi?”.

Pas shumë numërimesh të pyetjeve, vendin e parë e zë rikthimi i Florit dhe është një gropë që ja hapa vetë vetes hahaha :p!

Në fillim të shtatorit, një programin e mëngjesit të A2CNN u pyeta nga Bora dhe Rei nëse do të ketë një rikthim të Florit dhe si gjithmonë, duke e ndjerë vetës aq rehat sa ç’jam në përditshmëri me të dy, dhashë përgjigjen që ngriti në këmbë një Tiranë  – gjë që s’e kishte bërë as arrestimi i lalit.

Menjëherë pësuan lajmet me titujt “Rikthehet Flor Mumajesi me një koncert”, telefonatat që nga pjesëtarë të industrisë, që donin të përfshiheshin në koncert apo të interesuar për bileta  – dhe pak ditë më pas, një tjetër lajm po aq absurd, “Elvana Gjata dhe Flori Mumajesi ribashkohen në një koncert” e madje vijonte me datë dhe vend të sigurtë. Nuk e di a i kishin lajmëruar Elvanën dhe Florin për këtë koncert, por shqiptarët po prisnin biletat.

Në fakt, po qesh ndërkohë që shkruajta këto dy fjali, por nuk është dhe shumë për të qeshur.

Ka një të vërtetë – gati gati universale – që Flori Mumajesi do të rikthehet dhe madje, jo vetëm me materiale të reja, por edhe me një koncert. Ky është një informacion i ditur nga rrethi i afërt i tij, por në ekuacionin me shumë të panjohura, nuk ka as një datë se kur mund të ndodhë, as një vend dhe absolutisht, asnjë rikthim me Elvana Gjatën. Madje, për këtë të fundit jam më i sigurt se punët e mia hahahah!

Burime pranë Florit, konfirmojnë herë pas here dëshirën e tij për t’u rikthyer në treg – pavarësisht se personalisht mendoj që Flori nuk është larguar kurrë – por për arsye tërësisht personale zgjedh të qëndrojë në hije.

Projekte muzikore që flenë në studion më të famshme dhe më të lakuar në kryeqytet ka, dhe kjo nuk do as mend as kalem – thotë populli. Ndoshta për t’jua rikthyer buzëqeshjen që ndoshta ju ka ngrirë tashmë, këngët priten të rikthehen në Spotify dhe Youtube brenda këtij muaji.

Ndonjëherë më vjen për të qeshur kur lexoj lutjet ndaj Florit për t’u rikthyer, por në të njëjtën kohë po të njëjtët shpërndajnë teori konspirative në Tiktok e që në përditshmëri dëgjojnë e përkrahin të kundërtën e muzikës që bën Flori – gati gati do të thoja mediokre. Madje më kujtohet në vitet kur ishte aktiv në muzikë, nuk ishte as artisti më i klikuar dhe më i “stream”-uar në tregjet online.

Por gjithsesi, në një kohë kur muzika është më ç’muzikë se ndonjëherë, kur kemi këngë pa backvocale, pa tinguj instrumentash, pa diversitet instrumental, me producentë që kanë frikë të guxojnë e bien në përsëritje, me kompozitorë që ose kanë ngecur në kohë, ose janë shumë mediokër, rikthimi i Florit do të ishte një “antidote” që do të vinte një mekanizëm të ndryshkur, të lëvizte si kurrë më parë.

Kështu që, kursejini paratë dhe prisni deri kur postimi i rradhës i Florit të mos jetë “pakFLor”, por posteri i rikthimit.