Unë e kam bërë Shqipërinë e Madhe, i kam bashkuar shqiptarët në urrejtje
Nga Rita Behadini
Luftë për identitet brenda shtetit tim, Maqedonisë. Luftë për identitet edhe në mëmëdhe, Shqipëri. E kam pasur për qëllim të bëj shqiptarët bashkë, sado e pamundur që tingëllon, por nuk kam besuar kurrë që të njëjtët do i bëjë bashkë urrejtja. Jam rritur duke ndjekur programet e televizioneve të Shqipërisë, duke ëndërruar që një ditë unë të jem shembulli pozitiv i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Kam besuar fort që shtyllat e së drejtës dhe mirësisë janë shtylla që nuk lëkunden dhe janë të njëjta për këdo. Kështu më kishin mësuar, por e kisha pasur gabim. Kam folur shumë për këtë, por duket sikur kurrë nuk është mjaft. Asokohe e dija që arma më e fortë që kisha ishte fjala, andaj mësova ta përdor duke e dashur gjuhën pafund. Kam lexuar dhe studiuar, duke ja siguruar kështu vetes një vend në televizion, për të thënë atë që unë mendoja që duhej thënë. Kjo, nuk e besoja kurrë, që do të jetë arsye për të marrë aq shumë urrejte.
Në kalkulimet e mia të të bërit këtë botë një botë më të mirë, kisha lënë jashtë mizogjeninë, patriarkatin dhe pushtetin e burrave. Sot e kësaj dite më duket kaq i jashtëzakonshëm fakti që dikush mund të të urrejë, thjeshtë sepse ti ke një mendim tëndin. Që i rrahim krahun njëri tjetrin sa për sy e faqe, këtë e dija, por që të gjithë kolektivisht do pranojmë të jetojmë jetë të dyfishta, kjo ishte surprizë për mua. Ne pretendojmë që gjithkush duhet t’i përkasë një kallëpi të caktuar që shoqëria e ka matur me centimetra, dhe harrojmë që njerëzit lindin të ndryshëm, dhe kjo është e bukura e gjithë kësaj. Unë nuk i rrija tamam këtij kallëpi, andaj shpesh isha dhe jam shënjestër e atyre që nuk i duan gratë jashtë “vendit të tyre”.
Derisa po shkruaja këtë po mendoja njerëzit që të gjithë këtë tekst të mëlartëm do e fusinin nën kategorinë e famshme të viktimizimit. Vetëm në shoqërinë shqiptare të bëjnë viktimë dhe kërkojnë të mos viktimizohesh: të jesh e fortë se s’bën ndryshe, se kjo ju ndodh të gjithëve…Gjithsesi, unë shqiptarët i bashkova në urrejtje, thjeshtë duke kërkuar barazi dhe drejtësi për gratë, zëshëm, publikisht. Për sa kohë fjala ime gjëmonte vetëm brenda kufijve të Maqedonisë, urrejtja vinte vetëm nga brenda, me një gjuhë që e njihja e mirë.
Emisioni “Zanat” për mua ishte mundësi për të thënë fjalën time edhe në Kosovë. Më duhet ta pranoj, Kosova është një dashuri e madhe, por shqiptarët janë po të njëjtët, sado që i ndajnë kufijë. Me podcastin “Përtej Qershorit” filloi urrjetja edhe nga ana tjetër e kufirit. Ishte ky momenti kur kuptova që unë e kisha bërë Shqipërinë e Madhe, i kisha bërë shqiptarët bashkë. Të bashkuar në urrejtje. Sepse sado të ndryshëm të jemi përtej kufinjsh, urrejtjen e kemi të përbashkët, patriarkatin dhe mizogjeninë poashtu. Mbase në fund të ditës vetëm ngjyra e pasaportës na ndryshon, se gjakun e kemi njësoj.

Leave a Reply