Ekskluzive/ Festivali i RTSH në krizë financiare, Sheila drejt tërheqjes nga gara!
Ditën e djeshme u publikuan (më në fund) këngët pjesëmarrëse të Festivalit të 46 të Radiotelevizionit Shqiptar.
Mirëpo, në një kohë kur na duhej të shijonim këngët dhe të përzgjidhnim të preferuarit tanë, na duhet të diskutojmë rreth krizës financiare të institucionit në fjalë dhe vetë festivalit.
Burime pranë RTSH, bëjnë me dije se bordi drejtues i RTSH ka dështuar të votojë buxhetin e Festivalit të fundvitit javën e kaluar dhe këtë javë, duke bërë që puna për netët live të ngecë.
Duke mos miratuar buxhetin, stafi punues i Festivalit noton në ujëra të pasigurta, kontrata të pafirmosura dhe artistë të lënë pezull.
Sipas rregullores, me miratimin e buxhetit vendosen pagat dhe marrëveshjet ekonomike mes Festivalit dhe punonjësve të këtij festivali; përfshirë këtu edhe artistët pjesëmarrës, të cilët duhet të paguhen një shumë rreth 2 milion lekë të vjetra për këngët pjesëmarrëse, prezantuesit, skenaristët, skenografinë e deri te shitja e biletave.
Pra, me miratimin e buxhetit nis puna reale e festivalit, por mesa duket puna akoma nuk ka filluar. Arsye për këtë ngerç është fakti që Bordi e arsyeton buxhetin tepër të lartë për RTSH dhe të papërballueshëm në gjendjen në të cilën është media më e madhe publike në vend.
Mosmiratimi i buxhetit sjell edhe ngërç te këngëtarët, të cilët duhet të nënshkruajnë një kontratë edhe me agjencinë menaxhuese të të drejtave të këngëve pjesëmarrëse, Acromax, e cila merr përsipër promovimin dhe shpërndarjen e këngëve. Artistët nga ana tjetër marrin pagesat e tyre për prodhimin e materialeve muzikore. E duke mos pasur një miratim buxheti, nuk ka pagesa e si rrjedhojë nuk ka as kontrata. Një nga artistet e këtij edicioni, Sheila Haxhiraj dyshohet se është në proçes tërheqjeje nga gara për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve nga ana e RTSH. Aktualisht, kënga e Sheilës “Zemra e Tokës” është një nga këngët e preferuara të audiencës në rrjetin social X (ish-Tëitter).
Nuk dihet akoma si do të shkojë çështja ekonomike e Festivalit të 64-të të Këngës, por në një kohë kur RTSH po realizon marrëveshje “binjakëzimi” me EBU është paksa ironike që nuk arrin të përmbushë detyrimet ekonomike karshi punonjësve të këtij festivali dhe vetë artistëve – ata që e mbajnë gjallë këtë festival.

Leave a Reply