Bien këto morte, që shohim çfarë na rrethon!
Dikur kam thënë një shprehje, për të cilën do të mërziten besimtarët dhe fetarët, që do ta përdor sërish; Zoti bën gabime dhe nuk është i pagabueshëm.
Dhe mund të sjellim në tryezë dhjetra, qindra raste për të diskutuar, por largimi nga jeta në mënyrë të papritur i vëllait të Gjestit, Eldionit është një nga ata shembuj që forcojnë fjalinë më sipër.
Askush nuk e meriton një fat të tillë.
Asnjë familjar nuk e meriton një fat të tillë, të vajtojë të birin në një moshë akoma pa nisur jetën siç duhet. Dhe ajo ç’ka e shton më shumë trishtimin e kësaj ngjarjeje është fakti që të gjithë dëshmuan gjendjen ekonomike dhe sociale të familjes Kelmendi.
Sot do të ishim duke kujtuar dhimbjen e kësaj familjeje, duke thënë 2 lutje më shumë për të ndjerin e duke i mbajtur të dashurit tanë pak më afër se zakonisht se kjo ngjarje të mëson mbi të gjitha se sa shpejt mund të të ndryshojë jeta. Por jo. Si thotë shprehja, “mirë kali, po nuk të lënë rehat as mizat” – e në këtë rast nuk të lënë rehat shqiptarët.
Fillimisht ishin pamjet e aksidentit dhe të Gjestit në vendngjarje, të cilat mirë që morën dhenë në rrjetet sociale, por u përhapën dhe në media, e në media të fuqishme madje.
Më pas pasoi ceremonia e funeralit. Me bindje mund të themi që konkurronte edhe ceremoninë e funeralit të mbretëreshë Elizabetës pak kohë më parë për prani kamerash e mbulim mediatik. Bah!
Pamja ku duket Egli që përqafon Gjestin dhe përballë janë duar me telefona është një pamje që as në Black Mirror nuk e kemi parë dhe një realitet që as George Orwell nuk do ta kishte parashikuar dot në librin e tij disutopik.
Fillimisht, paaftësia e mediave për t’i rezistuar eksitimit prej numrave është e dukshme si dita me diell dhe një tregues që ne si shoqëri i kemi dhënë frerët e watchdogut disa njerëzve që për klikime dhe për shikime ndoshta janë gati të vënë kamera edhe brenda shtëpive të tyre. Dështojnë vazhdueshëm për të na treguar që niveli i punës së tyre ka ndryshuar dhe është përmirësuar. Por jo.
E dyta dhe ç’ka është më e trishta.
Unë kam qenë prezent në një numër të konsiderueshëm funeralesh; qofshin këto të njerëzve të afërt, qoftë edhe që mezi i njihja. Por thelbi i funeralit nuk është as qoka, as për të marrë kredenciale, as për të fituar “pikë” karshi personit a personave që i prek ngjarja.
Është një tregues empatie, tregon që ti ja kupton dhimbjen dhe je aty për ta ndarë atë dhe ç’ka është më e rëndësishmja, je aty për të nderuar jetën dhe kujtimin e për t’i dhënë lamtumirën personit që ka ikur nga kjo botë. Dhe kur ndodh që ky person është një 15 vjeçar, në lule të rinisë, akoma pa i nisur ëndrrat, akoma pa e nisur jetën, që ka humbur jetën nga një aksident e bën akoma dhe më të dhimbshme praninë aty.
E nëse je aty dhe ndjesia e parë që ke është të nxjerrësh telefonin e të filmosh, fotografosh dhe të dalësh live, kjo tregon që nuk je aty për të ndarë dhimbjen, por për interesat e tua dhe nëse je aty për interesat e tua personale, vlerat e tua njerëzve dhe morale duhen kërkuar te Aida Shtino. As në funeralet e personave publikë, politikanëve dhe të tjerë, nuk ndodh që pjesëmarrësit të nxjerrin telefonat për të filmuar. Nuk je në koncert dreqi e mori!
Gjesti mund të jetë person publik, mund të ketë marrë pjesë në Big Brother, por ai meriton si të gjithë ne privatësinë e tij – sidomos në një moment si ky. Por në një shoqëri spektakli, ku çdo gjë shitet për shoë, për t’u bërë viral, as vdekja nuk kursehet. Fizikisht apo online, ku çdokush në një mënyrë apo tjetër përpiqet të marrë një copë nga kjo vëmendje. Pikë e zezë, në një fjali vdekja dhe vëmendja – vetëm shqiptarët do i bënin filozofët të rrotulloheshin në varr.
Ka dhe një pjesë të pashpresësh, të cilët aq shumë nuk e duan veten sa në seksione të tëra nëpër komente na tregojnë se si disa prej nesh nuk e meritojnë lirinë e fjalës e ndoshta as të mendimit. Si kjo më poshtë për shembull.

Në këtë shoqëri që nuk kursehet as vdekja e as tragjedia, ne vazhdojmë debatojmë për çështje si emigracioni, ekonomia, jo po familja e shëndetshme, jo po Bashkimi Evropian. Ndërkohë çdo ditë e më shumë tregojmë që vlerat me të cilat krenohemi janë një ëndërr bukur që na e kanë thënë të vegjël dhe vazhdojmë dhe e besojmë.
Gjithsesi, ne vërtetojmë që kemi nevojë emergjente të shkojmë në terapi si komb, jo si shoqëri, për të shëruar pjesë tonat që në një shoqëri moderne kthehen në tumore që çdo ditë e më shumë na konsumojnë.
E çdo ditë e më tepër uroj që Gjesti e familja e tij të vazhdojë të marrë sërish përqafime e forcë nga të dashurit e miqtë e tyre, dhe të mos mjaftohen me vetëm një ditë e vetëm një postim.
Jeta e tij dhe e familjes së tij tashmë nuk do të jetë e njëjta. Çdo gjë do shihet ndryshe. Do të shikohet ndryshe. Muzika e tij do jetë ndryshe. Jeta do ndihet ndryshe për ta.
Ferri i tyre vazhdon nesër dhe të paktën, dikush të përpiqet t’ia shuajë flakët.

Leave a Reply