#JuFletTirana1: Një tufë gënjeshtra që (padashje) i besojmë dhe vetë!
Që kur pashë postimet një pas një të Arbana Osmanit në Instagram u përgatita për një “take over” të mediave online për (mos)rikthimin e saj në reality show apo për një sërë pyetjesh tëtjera, të cilave u ishte përgjigjur gjatë.
Mirëpo, mëngjesi i sotëm ishte si realitet paralel se njerëzit nuk ishin marrë fare me Arbanën, por me princ Lekën dhe Blertën, partneren e tij.
Një vrull komentesh nga A në ZH, aspak kreativë si gjithmonë, që i kryqëzonin për marrëdhënien e tyre dhe historikun e saj, por shkonin akoma më tej duke i akuzuar bashkë me Arbanën, për promovim të tradhëtisë. Ditë të bardhë mos paftë kush jua ka mësuar fjalën promovim që e hidhni gjithandej!
Nëse do ishin dy apo tre komente nuk do e kisha marrë mundimin të shkruaja, por bëhet fjalë për qindra.
Qindra njerëz ishin zgjuar sot dhe kishin zgjedhur të besonin që princ Leka ka tradhëtuar ish-partneren e tij, Elia Zaharian me Blertën, fotografen.
Blerta, një vajzë e re, dritë në fytyrë dhe që i shkëlqejnë sytë, duke qenë fotografja, ka joshur princin, i cili është magjepsur dhe ka zgjedhur të krijojë një lidhje paralele duke lënë mënjanë gruan e tij, mamanë e vajzës. Super histori telenovele, huh! Edhe skenaristët e Telemundos do e kishin zili këtë. Por në fakt nuk është kështu. Kjo mund të jetë jeta e shumë prej grave që sot në mëngjes kishin hapur telefonin pa pirë kafen, por jo e Blertës dhe Lekës.
Nuk ka asnjë fakt, nuk ka asnjë të dhënë, nuk ka asnjë deklaratë të vërtetojë që tradhëtia është shkaku i ndarjes së princit. Edhe në seancën gjyqësore, raportet e të cilit janë publik, nuk përmendet askund tradhëtia. As pala tjetër, Elia nuk e ka përmendur askund që është tradhëtuar nga princi. As në gjykatë, gjë që do t’ja bënte më të lehtë rastin. Por a e pyesin Elian shqiptarët? Nah!
Pavarësisht se çdo arsyetim logjik nuk shkon te tradhëtia, kjo nuk i bën shqiptarët të mos besojnë atë ç’ka ata duan. Dhe kjo në fakt shkon logjikshëm me mënyrën se si kjo shoqëri percepton dhe mendon përgjithësisht për çështje të ndryshme.
Duhet thënë, kjo shoqëri vazhdimisht ka injoruar faktet dhe ka zgjedhur të besojë teoritë konspirative të të tjerëve dhe të flluskës së tyre deluzionale. Nisur kjo që nga diskutimet alla Big Brother të tipit “Produksioni ka dekonspiruar kundër filanit se kështu…” apo diskutime të tipit: “Amerika do të vijë dhe do rrëzojë Ramën…”.
Rast tepër i ngjashëm ishte dhe debati kaq i lodhshëm i barazisë gjinore mes dishepujve të moralit dhe të fëmijëve të shqiptarëve (s)pastor Akil Panos, Dorina Memës, Albana Osmanit dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Frikshëm, (s)pastor Pano deklaronte në emisionin e Beti Njumës që transgjinoret ishin përgjegjës për numrin më të madh të mass shootings në Amerikë. Mund ta perifrazoja fjalë për fjalë siç e ka thënë pastori, por duke qenë se njerëzve të Zotit nuk u lejohet të gënjejnë, presim të pendohet.
Në fakt, nga 1 janar 2013 deri në gusht të 2025, në 5748 mass shootings, vetëm 5 autorë kanë qenë transgjinorë.
Nga ana tjetër, (jo-dhe-aq-)shenjtorja e familjeve shqiptare Dorina Mema, ia atribuonte shfaqjen Drag komunitetit LGBT duke i cilësuar performuesit drag si trans, pa gjini dhe një sërë epitetesh të tjera si për të na demostruar që projektet e saj biologjike në Arabinë Saudite janë gjëja që duhet të vazhdojë të bëjë dhe ta lërë këtë sport.
Fakti i vërtetë në të gjithë këtë është që po, drag shows janë një krijim i komunitetit queer, por nuk është ekskluziv për ta. Drag janë artistë, të cilët ekzagjerojnë pamjen dhe veshjen e tyre kryesisht feminine dhe performojnë lipsync. Por, gjinia e tyre jo domosdoshmërisht përkon me atë që ata performojnë. Pra, ka një numër të konsiderueshëm performuesish të këtyre skenave që janë meshkuj heteroseksualë, dhe jo vetëm gay apo transgjinorë.
Dhe jo vetëm kaq, por Dorina shkon më tej duke kërkuar llogari pse nuk investohet te fëmijët me sindromën DOWN por vetëm për komunitetin LGBT.
Që ta kemi informacion të përgjithshëm, në botë dhe në Shqipëri ka fëmijë gay, vajza dhe djem që tërhiqen nga seksi i njejtë, por dhe që lindin me ndryshime biologjike ndryshe nga ne të tjerët,të cilët jetojnë me ne, janë miqtë tanë, familjarë tanë, të cilët si çdo fëmijë tjetër i një komuniteti të margjinalizuar ka të drejta të plota të jetojë një jetë të denjë private, publike dhe institucionale. Këta fëmijë ekzistojnë dhe janë realë njësoj si ti që po e lexon këtë e nuk janë të sëmurë mendorë. Nuk janë trillim autorësh, ashtu sikurse janë edhe fëmijët me sindromën DOWN, të cilët hidhen në këtë diskutim si argument për të mbështetur idetë e Dorinës apo dikujt tjetër. Se qartazi, Dorina nuk e ka idenë e fëmijëve me aftësi ndryshe dhe çfarë po ndodh me ta në shoqëri, sepse po ta dinte, do të ishte në dijeni që një ditë pas deklaratave të saj, në Tiranë organizohet një festival vetëm për fëmijët me aftësi ndryshe. Se për të, qartazi këta fëmijë janë vetëm në argument për të mbështetur ide dhe kauzat e saj personale.
Nga ana tjetër, të sjellësh fëmijët me aftësi të veçanta në një diskutim që nuk është fare për ta për të zhvlerësuar palën e diskutuar është sikurse dilte Dorina dhe të tjera gra të respektuara për të protestuar për të drejtat e grave dhe dhunën dhe ne të sillnim ne diskutim faktin që rrihen edhe burra nga gratë, kështu që të mos merreshim me ju. Apo, në protestat e Dorinës për qentë e vrarë nga Bashkia e Tiranës të sillnim faktin që në këtë vend abuzohen fëmijët, pse të merremi me qentë. Por në fakt nuk e bëjmë sepse dy gabim nuk bëjnë një të vërtetë!
Gjithsesi, pa i hyrë në shumë detaje këtyre më lart, të treja çështjet kanë disa pika të përbashkëta.
Keqinformimi dhe mungesa e fact check.
Gjëja më e lehtë sot është të dalësh në televizor apo në platforma sociale, të thuash çfarë ti mendon të vërtetë të pafaktuar dhe një turmë jo e vogël të besojë verbërisht atë çfarë thuhet, mjaft të jetë në të njejtë linjë me besimet e tua.
Watchdog-u që supozohet të jetë ai që kontrollon faktet dhe argumentat mahnitet dhe eksitohet kur palët debatojnë me zë të lartë dhe kur shifrat e shikueshmërisë rriten, duke mos vënë re a po thuhen të vërteta apo “të vërteta” të cunguara.
Pra, mediat. Qofshin televizione, qofshin portale. Por edhe atë pak besim që pata te televizionet me thënë të drejtën, ma vodhi Grida me Ilir Vrenozin dhe debatin e dasmës së Jozefina Topallit, por muhabet tjetër ky.
E fundit dhe e mbylla; pse nuk shqetëson askënd fakti që kjo shoqëri nuk po LEXON më?! Sidomos para se të flasë me të bërtitura?
Po, është e vërtetë që rrjetet sociale kanë take over (dhe çdo diskutim tjetër që pason nga kjo), por kjo nuk do të thotë që mendimi i dikujt apo i një grupi shoqëror është fakt pa sjellë një provë që nuk është Bibla apo Kurani.
Njeriu është një specie që qëllimin kryesor në jetë nuk ka riprodhimin, por evoluimin. Speciet mund të riprodhohen, por nëse nuk zhvillohen (evoluojnë) zhduken, vdesin. Dhe ne si qenie njerëzore, përgjatë gjithë historisë sonë, kemi mësuar, kemi zhvilluar aspekte të jetës sonë, të cilat sot i gëzojmë si të mirëqena e kjo nuk ka ndodhur me “unë mendoj se…”, por me “unë pashë që…”.
Doja ta mbyllja me “gjithsesi mendoj që e ardhmja është pozitive për ne”, por në fakt jo. Nuk mendoj se është shumë pozitive përsa kohë shkolla shqiptare është në nivelin më katastrofal të mundshëm edhe krahasuar me ’97-ën, përsa kohë vajzat vazhdojnë të përdhunohen brenda familjeve të tyre dhe komuniteti e shoqëria mbyllin sytë derisa kapen gafil dhe e harrojnë ditën e katërt. Përsa kohë gratë dhunohen brenda shtëpive të tyre dhe kur hapin telefonin i shkruajnë “kurvë” çdo vajze qe nuk po rrihet dhe nuk ështe ajo me të cilën po i tradhëtojnë bashkëshortët. Përsa kohë nderi i burrit është gruaja dhe nderi i gruas është poshtë këmbëve, e në fund të dy e pësojnë si ajo barsoleta me çiftin që fikin dritën dhe thonë, “po tani?”.
