Lulediellit… dhe asaj që më ndryshoi konceptin e mësuesit në jetën time!
Mos kontrolloni kot kalendarin se nuk është 7 marsi.
Është një ditë që edhe pse e zgjedhur rastësisht, përkon me një ditë pas ditëlindjes së një personi që ka shënjuar të shkuarën time dhe ka shtruar mirë themelet e ç’ka bëj sot e ka kontribuar në personalitetin tim sot.
Marrëdhënien me mësuesit e kam pasur gjithmonë paksa toksike. Shkoja më të gjithë shumë mirë, si nxënës konstant ekselent, por si një dem që shfrynte për idetë e veta, ndonjëherë bëhej dhe konfliktuale hahah! Dhe deri nga klasa e 8-të mendoja që roli i tyre është vetëm didaktik dhe se figura e tyre mund të zëvendësohej lehtë. Por jo.
Sonela Totraku, ish-mësuesja ime e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë (nuk e di a i quajnë kështu dhe sot se me këtë katrahurë që ka kapur shkollën, kush e di…). Është përgjegjëse për saktësinë time gramatikore, influencë për mënyrën e të shkruarit dhe për fleksibilitetin për të kaluar nga zhaner në tjetrin dhe për dashurinë ndaj librit. E di që kjo e fundit ngjan bazike, por e vërteta.
Sonela, apo siç vazhdoj ta quaj edhe sot, zysh Sonela, dje do të festonte ditëlindjen e saj të 49-të nëse lufta me kancerin e gjirit nuk do ta merrte në 14 prill të vitit 2020.
Ndoshta dikush e mban mend edhe nga intervistat e shumta në media të ndryshme; në Klan te Rudina (këtu kam dalë dhe unë, por shumë i shëmtuar prandaj pretendoj që nuk kam dalë), Rreze Dielli në Report Tv, Pasdite në Top Channel e të tjera. Sepse pavarësisht orëve të ngjeshura në shkollë, në të cilën vazhdonte mësimi në 8:30 të mëngjësit dhe përfundonte në 15:30, vazhdonte të ishte pjesë e një kauze mjaft të rëndësishme dhe preferonte të “predikonte” shpresë dhe forcë për të tjera gra e vajza që po kalonin të njejtën situatë.
Ne e quanim luledielli sepse preferonte ta identifikonte veten me të, që shkonte pas Diellit, me fytyrë të qeshur dhe me forcën për të dalë fitimtare ndaj një beteje që herë bëhej tinzare, herë dinake e herë nevrike. Mirëpo, edhe pse e donte shumë jetën, me të gjitha uljet e ngritjet, të cilat i merrte gjithmonë me optimizëm, fati do ta donte të ndahej shpejt prej saj.
Prej vitesh më kishte mësuar të shquaja trajtat, kohët dhe mënyrat e foljes, si të përdorja figurat letrare, si të zbërtheja Euripidin që në klasë të 6-të, mirëpo në atë vit do të më mësonte përballjen e parë me vdekjen, në mënyrë tragjike, të papritur dhe të padrejtë.
Edhe sot, vazhdoj habitem me historitë që dëgjoj lart e poshtë se si nuk ka më mësues apo nxënës që krijojnë një lidhje – në kuptimin e “bonding” – me nxënës e studentë të tyre edhe përtej viteve të shkollës. Teksa dëgjoj historitë në fjalë, vazhdoj tregohem me veten mirënjohës për zyshën time, që në një kohë kur personalitetet tona nuk ishin formuar akoma, të gjithë ishim në proçes “loading”, pa te një djalë fjalëpak (mos u çudisni), introvert, që vetëm lexonte dhe krijonte, shtatvogël, gazetarin e sotëm, shkrimin e të cilit po lexoni dhe e shtynte me 101 pikëpyetjet në kokë të ndiqte rrugën që e kishte para syve, por nuk e shihte dot. E këtë e bënte edhe punë të papaguar vite pasi unë i thashë lamtumirë shkollës.
E pak vitë më vonë do të më mësonte humbjen, nga ato humbje që nuk ka para, dëshirë, mik, fuqi natyrore a njerëzore ta zhbëjë. Të më mësonte çfarë ka rëndësi në të vërtetë, çfarë nuk duhet marrë for-granted dhe se sa e rëndësishme është e tashmja nga të gjitha kohët e tjera.
Ditën që e humbëm, kam shkruar se si biseda e fundit ishte për të lënë një kafe, kafe të cilën nuk arritëm ta pimë e për të cilën unë do të ulesha ta prisja derisa të vinte dita. E ndoshta prandaj (çuditërisht) e shijoj shumë kohën vetëm, ulur TeKomuna duke pirë një pije se në të vërtetë, në këtë jetë kam zgjedhur të besoj që nuk jemi vetëm.
“Kur të bësh shown tënd, do të jem në rresht të parë duke të duartrokitur” – ishte fjalia që më thoshte gjithmonë, sa herë e merrja në telefon për ndonjë ide që më kishte shkrepur në kokë apo i kërkoja mendim për propozimet që më vinin. Dhe si për ironi fati, sa herë ndizej kamera e Klanit për Këngën Magjike e kam ndjerë duartrokitjen e saj, të parën fare. E prandaj e ndieja t’i kushtoja këto rreshta, të cilët janë shumë pak dhe nuk i bëjnë drejtësi jetës së saj dhe impaktit që kishte në jetën e shumë prej nesh që kemi pasur fat ta kemi në klasë, në shoqëri, në familje, në jetë dhe në zemër.

Leave a Reply