(Review) Pse “Kazerma” është lajm i keq për kineastët shqiptarë?
Për filmin “Kazerma” kam dëgjuar për herë të parë në pranverën e këtij viti, më shumë sesa për filmin në vetvete, dëgjova për “beef”-in prapaskenave për realizimin e këtij projekti.
E përtej zhurmës, kastit, promovimit, intervistave – Kazerma vërtetoi që edhe në Shqipëri mund të bëhen filma të mirë, aspak demode, jo të mërzitshëm, që godasin aspekte të realitetit edhe nëse ky realitet zhvillohet brenda kuadrit të një spektakli.
A e kisha këtë pritshmëri? Nisur nga fakti që “truri” pas këtij filmi është Turjan Hysko, ke një lloj sigurie që nuk do të rrotullosh sytë në shumicën e skenave siç ka ndodhur me shumë prej filmave sëfundmi. Por kaq shumë?
Ajo që më bëri përshtypje së pari, është mungesa e reklamave!
Kjo mund të duket si detaji më bazik, por prej vitesh kineastët shqiptarë kanë argumentuar se është e pamundur të bësh një film në këtë vend pa vendosur produktet në mënyrën më të shëmtuar dhe më fyese për audiencën që i ndjek. “Kazerma” tregoi se po, mund të bëhen filma edhe pa fyer inteligjencën e audiencës, duke i bërë të besojnë që për të parë atë produkt filmik ti duhet të bombardohesh me vendosje produkti që nga godina e xhirimeve e deri te të brendshmet.
Ky filma ka “my 10s” për fotografinë dhe regjinë.
Tranzicionet nga njëri plan në tjetrin apo momentet e dhënies së dramacitetit (psh momenti kur partnerja e Fredit sheh Fredin në TV-në e komisariatit) ishin shumë smooth, të pastra dhe logjike. Nëse do më duhet të kujtoj ndonjë plan “cringe” zor se do mund të gjej.
Një detaj që në kinematografinë botërore diskutohet shpesh së fundmi është coloratura e filmit, e cila në shumë prej filmave aktualë përpiqet të japë idenë e realitetit dhe jo të filmit, ndërkohë që të “Kazerma” kjo ishte evidente që po shihje një produkt filmik.
Plot-i apo përmbajtja ishte sigurisht, e bazuar në një reality show ku që në momentet e para kuptohej që kemi të bëjmë me Big Brother Vip Albania, ku moderator është një miks mes Ledion Liços dhe Sara Hoxhës, sigurisht me nuanca fantazie.
Nga ana tjetër, opinionistët e Kazermës kishin potretizuar Arbër Hajdarin dhe Ori Nebiajn, me pak Neda Balluk brenda në dy momente evidente.
Kasti i aktorëve? 10/10. Përvec emrave të njohur e të dashur për publikun, producentët i kishin dhënë hapësirë dhe aktorëve të rinj, të cilët e justifikonin më së miri hapësirën në të cilën gjendeshin.
Në fillim mendova “Pse Hatin për komentatore, kur shumë mirë mund të merrnin Olti Currin se do të ishte dhe më funny ndër të tjera?”, por pastaj reflektova dhe në fakt, Hati në rolin e komentatores është një pasqyrim i mirë i ç’ka ndodh rëndomë në shoqërinë tonë. Hati, si praktikante e fesë islame dhe e mbuluar, sipas rregullave të fesë nuk mund të bëjë gossip/thashetheme ndërkohë që në ato skena shfaqet duke lexuar komentet e të tjerëve për persona që nuk janë prezentë. Identike me fraksione të shoqërisë shqiptare. *thumbs up
Nëse prisni një film komedi, ky nuk është filmi i duhur vetëm për të qeshur. Në këtë film do të mësoni se si funksionojnë industri gjigande si ajo mediatike dhe e reality shoë-ve dhe se si audienca (ne) i qasemi në kohë të caktuara.
Personalisht, ky film është filmi më i mirë ndër prodhimet filmike të dekadës së fundit dhe krahas “Bolero në vilën e pleqve” është filmi më i mirë i kohëve moderne në trevat shqipfolëse.
Nëse nuk e ke parë akoma, nxito sepse Cineplexx e ka active filmin në shumicën e orareve në TEG dhe QTU, në Tiranë dhe vizitoni faqen e filmit për të mësuar ku mund ta shihni në qytetet ku jetoni.
Suksesi dhe cilësia e “Kazerma” është lajm “i keq” për kineastët, producentët dhe regjisorët që në të ardhmen do të prodhojnë filma në këtë vend sepse do t’i nxisë ta rrisin “stekën” dhe të mos mbështeten të banaliteti për të pasur sukses (po, jam akoma i traumatizuar nga Dy Gisht Mjaltë II), nuk do të mbështeten te komedia se veç ajo shet dhe të mos jetojnë e punojnë vetëm brenda flluskës që ata vetë kanë ndërtuar. Por do t’u duhet të punojnë më fort, më zgjuar dhe do t’u duhet të dalin nga zona e rehatisë. Ndërsa për ne, audiencën, nuk është asgjë veçse një lajm i mirë!

Leave a Reply