Shumë fjalë për Festivalin e 64 të RTSH
Festivali i Radiotelevizionit Shqiptar është konsideruar si evenimenti i vitit prej dekadash, që nga ngjizja e tij me çalime në vitet ’10 e deri para pak vitesh.
E ka marrë emrin Festival nga fjala “fest(ë)” që nënkupton argëtim por njëkohësisht edhe edukim, kulturë dhe zhvillim. Nuk e di nëse a vlen akoma ta quajmë një festë sepse të gjithë stresohen dhe të gjithë janë të pakënaqur. Të gjithë.
Si fillim, ne si publik, që në momentin e parë që dalin këngët jemi me laps e letër për të mbajtur shënim cila këngë bën, cila nuk bën, ku çalon njëra dhe ku çalon tjetra, pa i dhënë vetes kënaqësinë e të dëgjuarit dhe të shijuarit të secilës këngë. E të gjitha këto i pasqyrojmë online. Sigurisht, të shoqëruara me teori konspirative, me fitues të paracaktuar, me akuza plagjiature – këto të fundit të furnizuara rëndshëm nga artistë pjesëmarrës në konkurrim dhe nga ata që kanë dështuar vitet e kaluara në të njejtën skenë. Jo vetëm kaq, por secili ka ekskluzivitetin e të diturës çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet në Eurovizion. Si shoqëri me memorie të shkurtër, harrojmë që kur Rona Nishliu fitoi Festialin e 50-të i bardhë dhe i zi shfryu mllefin se si mund të çonim një këngë me të bërtitura në Festival. Ndërkohë Rona sot vazhdon ruan denjësisht rekordin për renditjen më të lartë në historinë tonë në Eurovizion, si një kujtesë për të gjithë që ne DUHET të çojmë këngën tonë më të mirë dhe jo këngën që ne mendojmë se do Eurovizioni – because we know shit!
Nga ana tjetër, asnjë nga artistët nuk e shijon Festivalin.
Të gjithë nisen për ta fituar dhe të gjithë mërziten kur nuk e fitojnë. Absurde. Artistët duhet të japin maksimumin, të performojnë në më të mirën e tyre, ta shijojnë dhe të krenohen me performancën e tyre. Ka shembuj me qindra të artistëve më të mirë në botë që nuk e kanë fituar çmimin më të madh në Grammys dhe karriera e tyre është në majë. Ka artistë që kanë humbur rregullisht dhe janë në turnetë më të shitura të dekadës. Ka dhe artistë shqiptarë që nuk kanë fituar asnjëhere biletën për në Eurovizion dhe karriera e tyre po prek arena ndërkombëtare siç është Alban Skënderaj apo Elvana Gjata së fundmi.
Pastaj pjesa e preferuar janë kritikët në rrjet.
Ka disa kategori në fakt. Janë një pjesë kritikësh, që kur janë të përfshirë ata në Festival, ky Festival është magji, është utopi, është festivali më i mirë në Europë. Ama, kur e bëjnë të tjerë është skandaloz, është dështim, është i tmerrshëm.
Ka një kategori, që për të ngritur të preferuarit e tyre ulin të tjerët, nisin teori konspirative si psh. Fituesi është paracaktuar pa pasur asnjë fakt dhe fakti i vetëm është origjina (lol), apo akuzat për plagjiaturë kur siç në matematikë 2+2 bëjnë 4, edhe në muzikë dy vepra janë kopjim kur kanë 3 kohë të ngjashme dhe numër notash të përsëritura të njejta – dhe cilido producent mund të vërtetojë se asnjë këngë nuk është kopje e një tjetre. Videot në Tiktok të fansave nuk janë fakt.
Gjithsesi, ky Festival i RTSH nuk është festivali më i mirë. Por as më i keqi. Nuk mund të jetë më i keq se Festivali i 63-të apo se festivalet e kohëve kur e merrnim vesh të nesërmen kush fitonte dhe se ishte bërë festival. Është një festival me probleme teknike, me probleme grafike dhe me probleme ekonomike si çdo festival tjetër që do të bëhet përsa kohë RTSH nuk riformaton strukturën e këtij Festivali dhe ta trajtojë me dinjitët atë dhe Orkestrën e këtij institucioni që mban titullin “Nderi i Kombit”.
Përpos problemeve teknike dhe këngëve pak “të vjetra” do thoja me dëshirën për t’i parë me sy optimist, ka një grup këngësh të mira dhe që mua në këto dy netë më kanë tërhequr vëmendjen. Dikush do të thotë “Pse prite kaq gjatë?”. Këngët e këtij festivali janë këngë orkestre. Janë këngë që duhet të përshtaten live nga Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar. Është si proçes evoluimi. Duhet të dëgjohen nga magjia e asaj orkestre për të “lindur”. Fatkeqësisht disa nuk e kalojnë mirë këtë proçes e disa “upgrade”-ohen live. Dhe për të qenë i drejtë prita sa t’i dëgjoja në netët live.
Supriza e këtij festivali është Endri Kaçaçi me “Si Unë”. Endrin e njoh prej disa vitesh nga puna e tij në Top Albania Radio dhe kam qenë në dijeni të talentit të tij dhe falë angazhime në disa ambjente të muzikës live në kryeqytet – kryesisht si amator. Por mbrëmjen e kaluar ka qenë artisti që ka tërhequr vëmendjen më të madhe timen. Këndim i saktë, refreni ishte një nga refrenet më të ndjera që kam dëgjuar këtë vit, performanca e kuruar dhe e përshtatur këngës. Kënga mënjëherë ka kaluar në krye të listës së këngëve të preferuara në Spotify.
Threex kanë konkurruar në Këngën Magjike vitin e kaluar për herë të parë dhe kam qenë mëse i lumtur për jeshilet që i kanë shoqëruar në të gjitha fazat e konkurrimit. 3 vajza të reja, energjike, gjithmonë me një performancë si asnjë moshatar i tyre e që janë të gatshme të eksplorojnë. Performanca e zhanerit epic dikë mund ta konfuzojë me Ruslanën, por një këngë me influencë arabike, performanca me tipare egjiptiane dhe jo vetëm, nuk ka asnjë të përbashkët me Ruslanën. Kujtoj që performanca të tilla datojnë që nga vitet ’90 me Michael Jackson, Tina Turner e me vonë me Beyonce dhe deri te Rihanna. Edhe njëherë, performancat quhet kopje nëse detaje si veshja, skenografi apo levizjet janë të ngjashme. Threex me “Vite” mbrëmë mund të ishin në një kategori me Silvana Rusin këtë vit në Këngën Magjike, por për t’i quajtur kopje do të kategorizohesha unë në një grup të caktuar – grup aspak i këndshëm. Vajzat duhen mbështetur se janë në ngjitje të karrierës së tyre që shanset të jetë e suksesshme janë shumë të larta – për më tepër kur materiali është aty. Great job goca!
Rikthimi i Vedat Ademit ishte i shumëpritur nga shumë fansa të muzikës së tij – të pavdekshme në minimumin e tij. Shumë mund të kenë pritur një Vedat të vitit 2009 apo të vitit 2013, por Vedati i “Kur fjala mbaron” është Vedati i 2025-ës, baba, mes dy botëve, mes dy vendeve dhe që i këndon një ndjesie personale në të cilën gjejnë veten mijëra shqiptarë. Zhaneri pop/rock i rri më së miri Vedat dhe unë nuk do të mërzitesha asnjëherë me të.
Nga American Idol në Festivalin e Këngës, Kim ose @yourboikimi është lezeti i këtij edicioni. Një këngë bright – për disa syresh boring, për të tjerë arsye me prit që me dalë Dielli. Në këtë festival ku gjithë duan të fitojnë e si pasojë ka pak tension aty, pak drama këtu, pak fjalë aty-këtu, kjo baladë pop, melodramatike i zbut të gjitha për 3 minuta dhe i bën të mendojnë për gjërat më të bukura që ka atje jashtë, për gëzimët e vogla dhe për ato arsye që na bëjnë të kuptojmë se jeta është e bukur. “Prapë Dielli Del” mund të mos fitojë, por ka fituar zemrat e atyre që e kanë dëgjuar dhe do të qëndrojë si një lulediell në këtë kopësht që lind 1 herë në vit.
Mëmësia ka vërtetuar që i ndryshon të gjitha vajzat dhe gratë dhe Evi Reçi është shembulli në këtë festival. “Kodi i Jetës” – aka AND-ja për të shumtët që nuk e dinin haha – është dedikim i Evit për të birin, Asterin, dhe nuk e di nëse kam qenë mama në jetën tjetër, por dedikimet e mamave për fëmijet kanë gjithmonë një vend në zemrën time. Me kompozim të Enis Mullaj dhe tekst të Eriona Rushitit, “Kodi i Jetës” është një nga këngët stil të këtij festivali – etno-EDM ku shohim kombinimin e instrumenteve tradicionalë me elementë të muzikës elektronike dhe dance – të cilën Evi e mbrojti dhe e solli korrekt në natën e dytë.
Kur Enxhi Nasufi mori pjesë në Festivalin e Arbanës, me “Burrë”, versioni live i këngës superoi frikshëm versionin studio dhe ky është një nga rastet e pakta atë sezon. Këtë vit nuk di të them me siguri nëse më pëlqen version studio apo version live më shumë, por Enxhi dhe Kledi Bahiti kanë treguar tashmë që nuk janë “a miss”. Janë një dyshe me kimi në muzikë dhe sjellin materiale të mira. Performanca në skenë ishte thjesht “ok” dhe nuk i shtoi vlerë këngës – madje mendoj që vetëm me vajzën e vogël performance do të amplifikonte peshën emocionale të këngës. Por gjithsesi, kënga është mjaftueshëm “Dritë” (hi Xhibo) e mirë vetëm sa një koreografi as nuk e ul e as nuk e ngre.
Befasi ishte edhe “Zemra e Tokës” nga Sheila. Një rikthim dinjitoz i saj në skenë pas një mungesë të gjatë e pas një tragjedie. Kur thonë që tragjeditë frymëzojnë artistët për kryevepra, kanë të drejtë. Sheila solli deep house në një festival që dikur njihte vetëm rryma të vjetra. Ndonëse me performancë më balerinë, do të kisha dashur ta shihja Sheilën të vetme me një skenografi që punonte për të. Por skenografia dhe performanca është vetëm një detaj i vogël para kreativitetit të kësaj këngë që zhurmën do t’ja dëgjojmë verën e ardhshme e në verërat që do të vijnë.
Hiti ritmik i këtij festivali për mua do të mbetet Inis Neziri me “Ta Kam Fal”. 100 neurone më vdesin sa herë lexoj njerëz ta krahasojnë për ta ulur apo e akuzojnë si kopje të “Tumankuqes” (????) a të Elvanës sikur kjo e fundit ka blerë patentën e këngëve ritmike në Festival. Move On respectfully:)
Në mbrëmjen e parë Inisi pësoi një incident në skenë me këpucët dhe që i afektoi të gjithë performancën, por asnjë festival nuk është më një skenë për të vërtetuar se Inisi di të këndojë më shumë sesa thjesht një vend kreativ për artistën e re.
Kënga për mua është 10 – strofa që ndërtojnë rrugën për një refren masiv, një refren që masën e bën për vetë, instrumentali i gjallë të mban në lëvizje dhe është e pamundur të shpëtosh. Në performancë, koreografia është i vetmi detaj off në të gjithë komponentët. Veshja e balerinëve stonon me veshjen leather të Inisit dhe sidomos me motivet etno të këngës. Po ashtu edhe lëvizjet në refren – cringe do të thoja në më të mirën time. Nuk e di autoren apo autorin e koreografisë por do të doja të kishte bërë një punë më të mirë për Inisin. Gjithsesi, Inis Neziri mbetet një pretendente për fitore.
Vjet legjenda urbane cilësonte Elvanën si fituese, këtë vit stafeta i ka kaluar Alisit.
Fun fact, unë të gjitha këngët finale, të publikuara i kam dëgjuar për herë të parë në makinë me rradhë dhe asnjëra nga këngët nuk më ka rrënqethur si “Nan”.
“Faji” është i korit në fillim, refrenit të fuqishëm, zërave backvocalë që dalin herë pas herë si fantazma në një shtëpi horrori – por këto jo për të të trembur po për të të mbajtur në atmosferë. Dhe e fundit por jo nga rëndësia – vargjet e fundit.
“Kur po vjen moj nan/ se malli m’than/ Mos u mërzit/ Nana ka me prit” – mbajnë peshën më të rëndë emocionale të të gjithë këngës dhe bashkë me të portretizojnë dhe komunikojnë në mënyrën më të drejtëpërdrejtë dhimbjen e të gjitha nënave më fëmijët në emigrim.
Kam lexuar dy raunde kritikash. E para, kënga është e kopjuar nga Madonna “Like A Prayer”, por në fakt kënga ka vetëm harmoni që ngjasojnë në disa elementë por nuk quhet kopje kur notat nuk janë të njejtat. Kjo dukuri në muzikë shpesh ngatërrohet me vjedhje, por në fakt nuk është. Nëse mendon të kundërtën, lexo ndonjë libër për këtë punë.
Kritika e dytë është teksti – sipas të cilëve është outdated (i vjetër) dhe demode.
Shqipëria, sipas INSTAT, ka 2.3 milion banorë. Në 2025-ën, INSTAT numëron 2.2 milion shqiptarë emigrantë, të zhvendosur përfundimisht jashtë vendit; rreth 1 milion në Evropë dhe pjesa tjetër në SHBA, Australi dhe pjesë të tjera të globit. Pra, aq banorë sa ka vendi ynë brenda kufinjve, aq jetojnë dhe aq. Emigrantë. Nga të cilët, jo të gjithë e kanë luksin dhe privilegjin të vizitojnë familjarët çdo fundjavë, të kalojnë çdo ditë festash me to apo që edhe t’i takojnë. Emigracioni është plagë e viteve 1400, plagë e 1990ës, dhe vazhdon të jetë plagë e 2025-ës. Kushdo që e mohon, shanset që të ketë privilegjet e mësipërme janë të mëdha.
Mirëpo, performance skenike linte për të dëshiruar, kjo jo për faj të artistit. Spotlight ii munguar mbi Alisin, por i improvizuar, mungesa e dramacitetit, camera cuts dhe e ekzekutimit të ndriçimit mbi skenografinë e lanë artistin në errësirë.
Këngën e Fifit dhe Tirit e kam dëgjuar në një version të papërfunduar kur ishim në juri të X Factor dhe refreni më ngjiti. “Rri”, një baladë rock/simfonike me elementë dramatike krijon një “kaos” të bukur në këndvështrimin tim, Krijon tension. Harmonizimi i të dy vokaleve e kalon vëmendjen e këngës nga njëri artist të tjetri, “lulet” e Fifit gjatë bridge-t *chief kiss.
Në performancë dyshja e ekzektuoi këngën më mirë se pritshmëritë që ishin krijuar në rrjet. Përformanca ishte konceptuar me të dy artistët përballë tjetrit, por do të ishte më interesante që dyshja të kishte lëvizje me dinamike sepse elementët rock të këngës i japin goxha hapësirë. Gjithsesi, “Rri” renditet si një nga këngët më të luajtura në Spotifyn tim sepse kënga në versionin studio vazhdon të mbetet superiore.
Kush do ta fitojë do të thoni ju?
Unë mendoj që të pestë të fundit janë pretendentë për të fituar Festivalin dhe ai apo ajo apo ata që do të marrin kupën do ta kenë të merituar. Objektivisht, këngët janë të pesta të ndryshme, asnjëra nuk ngjan me tjetrën dhe do të varet nga pëlqimi i jurisë dhe i publikut.
Mirëpo, unë nuk mund ta harroj emocionin e parë që kam përjetuar duke dëgjuar “Nan”. Si një fëmijë që është rritur duke pasur gjysmën e atë afërmëve përtej Adriatikut, me pamjet e nënës time duke pritur nga dera për fëmijët e saj, pritje që vazhdon edhe në 2025-ën – eksperiencë kjo masive jo vetëm e brezit tim, por edhe brezave të tjerë – më bën që të anoj nga Alis, me ekzekutimin më të saktë live të këngës, me peshën emocionale të saj, me të gjithë dramacitetin dhe tensionin në këngë.
Unë uroj që kushdo që ta fitojë ta fikë telefonin, të mos lexojë asgjë sepse publiku ynë do të jetë i etur të dielën në mëngjes për një brunch me kritika.

Leave a Reply