Si Alban Skënderaj po rrëzon mitin e Eurovizionit?
Që në pjesëmarrjen e parë të Shqipërisë në Eurovizionin në vitin 2004 me Anjeza Shahinin, dëshira më e madhe e artistëve shqiptarë është përfaqësimi i Shqipërisë në skenën e Eurovizionit.
Kjo me të drejtë. Në vitin 2004 e përgjatë gjithë asaj dekade, skena e Eurovizionit ishte skena e vetme ndërkombëtare ku artistët shqiptarë mund të ngjiteshin dhe të ndiheshin të barabartë me kolegë nga vende që kanë bërë historinë e atij festivali dhe jo vetëm, si Italia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Spanja, Gjermania, Suedia e të tjerë.
Pjesëmarrja në Festivalin e Këngës u bë qëllim kryesor dhe definues karriere vetëm e vetëm për të shkuar në Festivalin Evropian, dhe kjo me çdo kusht. Edhe me kostot e humbjes apo pushimit nga karriera pas Eurovizionit. Anjeza Shahini dhe Ledina Çelo u tërhoqën nga skena. Luiz Ejlli po ashtu deri në pjesëmarrjen në Big Brother Vip. Olta Boka, Kejsi Tola, Frederik Ndoci dhe Rona Nishliu kanë zgjedhur të mos kenë muzikën prioritet në jetën e tyre dhe pjesa tjetër e artistëve janë rikthyer po aty ku ishin përpara se të niseshin për në Eurovizion.
Mirëpo, hyrja e dekadës pasardhëse dhe e dekadës së fundit ka zgjeruar masivisht horizontet se si artistët shqiptarë mund të ngjiten në skena ndërkombëtare edhe duke bërë skip Eurovizionin dhe të gjitha peripecitë që e prijnë dhe e pasojnë.
Rasti i Alban Skënderajt së fundmi, është një nga shembujt që i tregon artistëve shqiptarë dhe të gjithëve ne se maja e karrierës së një këngëtari shqiptar nuk mund të jetë vetëm Eurovizioni, por ka dicka tjetër përtej. Diçka më e madhe. Dhe diçka më jetëgjatë.
Në datën 6 qershor 2024, Alban Skënderaj mbajti koncertin e tij të parë në stadiumin AirAlbania, “Motiv”, i cili u bë sold out shumë kohë para mbajtjes së tij. Në maj të ktij viti, “Motiv” kaloi në një nga arenat më të mëdha në Evropë dhe më prestigjize, Forum Di Assagio (Unipol Forum), Milano duke shitur rreth 15.000 bileta, një arenë kjo që muaj më vonë do të priste emra si Lady Gaga apo Katy Perry.
Këtë stinë, Albani po përmbyll “rezidencën” e tij në Prishtinë me 4 netë sold out në sallën 1 Tetori dhe po përgatitet për ta çuar “Motiv” në Londër, në Eventim Apollo në 4 shkurt dhe në Athinë, në Galatsi Olympic Hall, në 21 mars.
Dukshëm ky është një turne kontinental i Skënderajt, i cili ka të gjitha gjasat të zgjerohet edhe në vende të tjera jashtë Evropës sepse kërkesa e shqiptarëve për të vazhdon të jetë e lartë.
Kjo është hera e parë që një artist kalon kufinjtë kombëtarë më një skenë të veten, band të vetin dhe një shoë të konceptuar vetë dhe shënon një trajektore të re për artistët shqiptarë.
Teksa kjo ndodh me Albanin dhe shqiptarët që kanë blerë biletat për ta ndjekur live në qytetin ku ata jetojnë, në mëmëdhe po zhvillohet debati se kush do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion vitin e ardhshëm. Qartazi, dy koncepte të kundërta dhe të ndryshme.
Albani konkurroi në Festivalin e Këngës në vitin 2011 dhe u rendit i dyti. Nuk e ka fituar asnjëherë këtë festival, e ndërkohë po mbush sallat e arenave europiane. E në fakt, ky duhet të jetë synimi i artistëve shqiptarë.
Kufinjtë dhe barrierat tashmë janë ulur më shumë se asnjëherë dhe të gjithë kanë shanset për të bërë të njejtën gjë që po bën Alban Skënderaj. Mjafton një repertor i mirë, i kuruar, i kujdesshëm, shumë punë, heqje dorë nga trendet e shpejta e të thjeshta për ndoshta 2 para më shumë dhe rezultatet mund të jenë shumë më afatgjata se një përfaqësim në një Festival që ndoshta mund të stopojë së ekzistuari.
Ndoshta edhe ne po i arrijmë ditët kur artistët shqiptarë heqin dorë nga clubet dhe skenat bazike dhe performojnë në skena dinjitoze për ta, për muzikantët e tyre dhe për publikun që i do dhe i mbështet.
Ndërkohë që në Tiranë debatohet kush do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion, më e mira e artistëve është që të gjithë energjinë që shpenzojnë cdo vit, sidomos artistë të këtij kalibri, ky është drejtim shumë më i mirë, shumë më artistic, më fitimprurës, më dinjitoz për ta çuar të gjithë atë energji.
Le të shërbejë rasti i Albanit si një pikë-kthese për strategjitë që janë ndjekur deri më tani. Edhe pse jam shumë pozitiv sepse koncepti i koncerteve live në skena të qenësishme tashmë po aplikohet nga mjaft artistë; Dafina Zeqiri pritet të mbajë një koncert madhështor në 2 netë; 25 dhe 26 dhjetor në Prishtinë, Yll Limani pas 3 netëve në Prishtinë vjet dhe netëve në Shkup dhe Kalanë e Prizrenit pritet të nisë një turne live vitin e ardhshëm.

Leave a Reply