Shënoni datat: Ngjarjet e rëndësishme që ju presin përgjatë gjithë Dhjetorit

 

Sot kemi hyrë zyrtarisht në “periudhën më të bukur të vitit” dhe urime të gjithë atyre që mezi po presin ta përcjellin këtë vit; ja hodhët, edhe 30 ditë dhe nisni një vit të ri.

Përpos fundit të vitit që për shumicën prej nesh është periudhë festive, ky muaj do të jetë akoma më special për ne fale disa prej artistëve tanë, dhe jo vetëm.

I gjithë dhjetori do të jetë i mbushur me “evente”, të cilat unë po jua listoj më poshtë që të mos lodheni t’i mbani shënim :p

 

  • 1 dhjetor

Sot priten të publikohen këngët konkurruese në Festivalin e Këngës. Lista e publikuar e pjesëmarrësve nuk parashikon një fitues/e, por e lë garën tërësisht të hapur. Do ta fitojë Fifi? Evi Reçi? Apo kupa do të shkojë te një i ri si Alis Kallaci? Besoj se këngët sot do të na japin një tablo më të qartë.

 

  • 10 dhjetor

Paçka se edhe këtë vit është drejtoreshë artistike e FiK, kjo s’e ndaloi Elhaidën të punojë për muzikë të sajën. Pas një viti pritjeje (dhe drame), më në fund EP i prodhuar në Kosovë në bashkëpunim me Armend Rexhepagiqin dhe Aida Barakun do të publikohet në datën 10 dhjetor. “Pasqyra e Mbretëreshës” do të përmbajë këngë ritmtike dhe balada, si dhe këngën e performuar në finalen e festivalit vitin e kaluar.

 

 

  • 18 dhjetor

Nëse do të kisha 1 euro sa herë jam pyetur çfarë është TSN dhe çfarë do të ndodhë në datën 18, do të isha i pasur tashmë. Ditën e djeshme, Yll Limani ka publikuar teaserin e këngës së tij më të re, “Era” duke dhënë edhe një hint se çfarë mund të jetë TSN duke eleminuar kështu mundësinë e të qenurit një koncert. Unë ju sugjeroj që datën 18 ta bëni të gjithën pushim se nuk do të keni kohë të “konsumoni” të gjithë muzikën që ju pret atë datë…

 

 

  • 17/18/19/20 dhjetor

Këto janë data e netëve live të Festivalit të Këngës në RTSH, me natën finale në datë 20. Biletat akoma nuk kanë dalë në shitje, por mbani një sy nga rrjetet sociale të Elhaidës dhe Olti Currit për njoftim.

 

 

  • 20 dhjetor

Kjo është data që mund të jetë më e rëndësishme për shqiptarët më shumë se çdo datë tjetër – përfshirë edhe datën 31 dhjetor lol.

Në datë 20 dhjetor, në orën 21:00, Ledion Liço ju pret në ekranin e Top Channel në nisjen e edicionit të pestë të Big Brother Vip Albania, spektaklit që do të na mbajë të gozhduar para ekranit. Lista e banorëve? A nuk ka dalë tashmë?

 

 

  • 25 dhjetor

Për disa janë Krishtlindjet, për ne të tjerët është rikthimi në skenë i Dafina Zeqirit me koncertit më të rëndësishëm dhe më të madh të karrierës së saj.

Në sallën 1 Tetori, Dafina, band-i i saj dhe Orkestra Simfonike ju presin për të festuar dhe për të mbajtur spektaklin më të madh dhe më të rëndësishëm të vitit.

Hite të vjetra, hite të reja, rikthime në skenë të emrave që ju mungojnë prej vitesh dhe një shoë si asnjëherë më parë – por më shumë do t’ju zbuloj në ditët në vazhdim.

 

Ky dhjetor pritet të jetë i ngjeshur, paksa i lodhshëm, por e sigurtë që do të na argëtojë çdo ditë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *